venerdì 12 febbraio 2010

A është perëndimi “El-Dorado” i shqiptarëve?

A është perëndimi “El-Dorado” i shqiptarëve?*

Vajada Keçi Manjani

Kombet janë në zhvillim të vazhdueshëm. Ato nuk ndalen, nuk na presin por ngarendin të kapin të rejat dhe risitë e kohës, të paktën kështu duket...
Perceptimi i kufinjve pas gati 50 vite mishërim të tyre në komunizëm mbetet të jetë shumë i gjallë tek ne shqiptarët. Perceptimi i popullit tonë si i mbyllur në kafaz imagjinar përtej se cilit nuk mund të kalohet vërehet të jetë i gjallë edhe sot e kësaj dite. Prej kohësh populli jonë ëndërronte perëndimin sikur të ishte “El Dorado” prej të cilit na ndajnë veç disa kufinj. Të tillë, shume syresh kanë lënë jetën në përpjekje për ta kaluar atë. “El Dorado” në imagjinarin kolektiv paraqitet si i mbushur me flori, i tillë gjëndet në ndërtesa, në rrugë në rrobet e njerëzve në vetë njerëzit dhe perceptimet e tyre. Vetë perëndimi e ka paraqitur veten si të tillë. Si vendi i Demokracisë, i vlerave politike dhe ekonomike të pa kontestueshme. Si vënd ku ëndrrat për liri dhe prosperitet të vendeve relativisht të vogla si Shqiëria nuk kanë çfar të bëhen veç se realitet. Mitizimi i “El Dorados” së perëndimit tashmë ka përfshirë çdo qelizë të shoqërisë sonë. Vetë-pushtimi i vetes sonë nga vlera aliene, të huaja? Sa të huaja? Së pari një populll duhet të përvetesojë vlerat e tij. Të jetë i vetëdijshëm për to. Po a jemi ne të aftë që t’i bëjmë një analizë të thellë gjëndjes sonë duke sjellë kështu zgjidhje të cilat vijnë nga brënda dhe jo të gatshme nga jasht, nga studiues të huaj të cilët përshtasin rezultatet e realiteteve jo koherente me tonin.
Vështirë mund të kuptohet nga një perëndimor qasja e shqiptarëve ndaj perëndimit. Natyrisht, që shumica prej nesh duke mos dal ndonjëherë jashtë shtetit për të perceptuar dallimin real midis asaj që mediat shfaqin nëpër ekrane dhe asaj që në realitet jetohet nëpër ato shoqëri marrin për të qënë çkado lloj reference që iu ofrohet. Thonë se të nëjtët individ të cilët punuan për propagandën komuniste janë të njëjtët të cilët punojnë sot për formimin e opinionit të shqiptarëve në demokraci. A është e vërtetë që shumica e vlerave të cilat opinion-bëresit thonë se kemi ne si popull, egzistojnë akoma edhe nën peshën e ngarendjes kolektive drejt perëndimit?
Ne jemi shëmbulli më i mirë i ndërrimit drastik të vlerave tona. Për disa do të perceptohej si herezi të pohosh se ishim pikërisht në të cilët përqafuam menjëherë mbas vitit 1945 në mënyrë drastike vlerat e komunizmit, të cilët duartrokisnim me zellin më të madh tek sa na shfarosnin me pompozitet traditat dhe kulturën e gjer më atëhershme. Ishim pikërisht ne që lam adhurimin e Zotit Një për të përqafuar adhurimin e partis shtet me “profet” që iknin e vinin në arenën e politikes socialiste të kohës. Ishim ne që në fillim të viteve 1990 sa hap e mbyll sytë hodhëm mbrapa krahëve sikur të mos kishin ndodhur kurrë vuajtjet e komunizmit për të parë përpara. Po ku? Një të ardhme më të mirë, “El Dorado” po na priste. Mbase ky është një nga virtytet më të mëdha të popullit tonë: “Të harrosh shpejt” kjo sepse nga vuajtjet e shumta nuk ka kohë për të kujtuar vuajtjet e më parshme, mbase. Kështu lind indiferenca.
Më vjen në mëndje im at. Ai ka qënë prej të paktëve të cilët kanë udhëtuar në vëndet “kapitaliste” në kohën e komunizmit të egër. Udhëtimet e tij të vazhdueshme në Zvicer dhe Austri ne vitet 1985-1987 ndikuan thellë fatin e familjes sime në kohën e demokracisë. I pyetur shpesh prej meje se përse ai nuk ishte i ndikuar nga entuziazmi kolektiv i hapjes me perëndimin sidomos në perjudhën e famshme dhe tragjike të “hapjes së portit” në vitet 91-94 dhe pjesërisht gjat vitit 97, përgjigja e tij ishte atëbotë e pa kuptimtë për mua: “Sepse e kam dit se çfarë pret shqiptarin atje”. Fjalë enigmatike këto për mua që “nuk e dija”, më enigmatike sesa vet heshtja e tim eti për të më përshkruar mendimin e tij lidhur me vizionin që kish krijuar për botën përtej hekurave me gjëmba që na ndante. Përveç tronditjes së tij në përballjen me zhvillimin kolosal ekonomik që mbizoteronte atëbote në këto vënde në krahasim me mjerimin gjer në uri të shqiptarëve tue cilët kokrrën e mollës e shihnin vetëm për Vit të Ri në tollonin simbol të mizerjes dhe urisë së harruar tashmë njëzet vite ngaredje në Evropë. Kaq më la tim et nga kujtimet e tij, pjesën tjetër do ta zbuloja vetë në përballjen time personale me perëndimin. Ashtu si çdo i ri, dhe unë kam qënë e indoktrinuar me mitin e “El dorados” perëndimore. Kanalet televizive të Mediasetit dhe Rai-t Italian mund të them se ishin ato që më teper ndiqeshin në zonën time të banimit. Adoleshecës e kaluar duke ndjekur shëmbujt e paraqitur prej tyre, sot kuptoj se ishin thjeshtë iluzione dhe makinacione të marketingut televiziv. Më pas natyrisht që këto media bllokohen për t’i lënë hapsirë mediave vendase për tu zhvilluar. Ende, fare lehtë mund të kuptosh se çdo program televiziv i paraqitur në to, nuk është tjetër veç se kopimi gjer në detajin më të hollësishëm të televizioneve perëndimore, atyre Italiane kryesisht.
Ende më kujtohet paniku që pëjetova ditët para nisjes sime për studime në Itali. Perceptoja se edukimi im i cili për arsyje fetare vinte në rradhë të parë integritetin moral dhe edukatën familjare, binte ndesh me shoqerinë në të cilën do të kaloja aq shumë vite studimi. Parashikoja një luftë të madhe të brëndshme për t’i rrezistuar modeleve dhe stereotipeve të rinisë së “hapur” në të gjitha drejtimet e cila me siguri do të biente ndesh me normat morale dhe edukatën fetare aq të shtrenjtë për mua. Parashikimet e mia katastrofale mbetën veç një kujtim kurioz sot mbas gati pese vitesh nga përjetimi i tyre. Nuk e mohoj se elementët që formuan këtë lloj paniku në mua, zbulova më vonë të kishin qënë fallco dhe pa baza në realitetin në terren. Mjafton një analizë e vogël dhe një vështrim i shkurtër ne realitetin shqiptar, për të kuptuar se miti i perëndimit i cili na është krijuar veç në mëndjen tonë nuk përputhet me realitetin e Komunitetit në të cilin aspirojmë të futemi. Po a na bën mirë përqafimi i gjithçkaje që na del përpara e servirur me aq mjeshtëri nëpër mediat tona të cilat janë element përbërës i perceptimit të jetës dhe botekuptimit individual? Nga çdo vlerë që na paraqitet si e tillë nga përëndimi që efektivisht ne nuk e njohim aq thellë sa per ti bërë një filtrim të mirëfilltë atyre që mund ti quajmë si vlera prej tij. Kam frikë, se populli jonë me qasjen e pa kontrolluar dhe të pa filtruar ndaj gjithçkaje që vjen tek ne me markën “Nga jasht shtetit” te meret apriori dhe pa e venë në diskutim aspak. Pa e pyetur veten se si individ ne mund t’i pranojmë të gjitha, apo kemi edhe limite që nuk mund t’i kapercejmë sepse jemi njerëz me vlera?! Të gjëndur në një tranzicion të cilit nuk po ja shohim fundin, nuk kemi arritur të bëjmë ende dallimin midis vlerave të cilat dëshirojmë t’i ruajmë në vetvete dhe atyre që dëshirojmë të përthithim nga perëndimi.
Ngarendja e vendit tonë për në Evropë kalon përmes plotesimit të disa kushteve të cilët perëndimoret me shumë imagjinate vit pas viti i rinovojnë duke shtuar të reja. Simbas vëndit bëhet kuvëndi natyrisht, dhe shqiperisë karshi zhvillimit ekonomik dhe politik që i kërkohet, heshturazi i shtohet dhe paraqitet të jetë dhe “modernizimi i popullatës”. Me sa duket, ketë përpkjekje është vetë popullsia që përpiqet t’ia arrijë me të gjitha forcat e saj. Kjo mesa duket e shtyrë edhe nga modelet të cilat i serviren me agresivitet maksimal nëpër media. Duket sikur ky është një mision kolektiv që vëndi jonë i ka vënë vetes në rradhë të parë. Dhe përpiqet me të gjitha forcat e veta sikur të ishte duke rekuperuar kohën e humbur. Kujdes! Kujdes atij që guxon të vë në dyshim këtë ngarëndje! Kujdes atij që përpiqet të sensibilizoi popullsinë duke vënë në dyshim vlerat e perëndimit ato vlera që ai vetë nuk i pranon natyrisht. Nësë emigrantët e shkolluar jashtë vëndit përpiqen të vënë në dukje çalimet në këtë përpjekje jo në aspektin e forcës që populli jonë po investon në këtë drejtim po në vetë thelbin e drejtimit që ato po marin, menjëherë akuzohen si njohës të pakët të realitetit kombëtar shqiptar. Si njerëz që nuk jetojnë dita ditës për të përjetuar sfidat e gjithë anëshme të shqiptarëve por që japin mendime sipas kriterit të tyrë matës të pa bazuar në realitetin e evoluar të tokës mëmë. Natyrisht që, ky është një qëndrim mjaft për tu kritikuar. I bazuar në mëndjemadhësinë se “ne e dimë vetë çka bëjmë ndërsa ju jeni jasht e nuk merni vesh gjë”. Gabim i rëndë. Po aq sa shqiptarët i marin si fjalë profetike udhezimet e çdo perëndimori për të “ndrequr “ shoqërinë shqiptare aq edhe i refuzojne ato të një bashkëkombasi në emigrim, kuptohet, të atij që nuk është asimiluar ende. Ne si emigrant, përjetojmë atë çka vetë populli jonë aspiron të bëhet, të bashkohet me Evropën e Isntitucionalizuar, pra te gjëndur tanshmë në brëndësi të BE.
Pamja e qartë dhe e ftohtë të një realiteti mbushur plot me iluzione i cili udhëheq sidomos rininë shqiptare është alarmante. Modelet që na ofrohen nga televizionet e lart përmëndura ndiqen verbërisht. Problemi qëndron në faktin se këto modele, nuk janë të pranuara as në vëndet që i kanë prodhuar dhe ideuar për herë të parë. Edhe pse u shiten publikut si prodhim i shoqërisë ku ato jetojnë, përveç se audiencës televizive nuk prodhojnë tjetër veç se kritike për kontribuimin në degjenerimin moral të saj. Të paktën këto element diskutimi në shoqërinë Italiane për shëmbull janë dalluar nga masa e gjërë e popullsisë si element që nuk përfaqësojnë realisht jetesën në këto vënde, madje as realitetin e rinisë në to. Atëherë si është e mundur që programet televizive të krijuar enkas shpesh herë për të gjeneruar skandal dhe për pasojë shikueshmëri të lartë, tek ne nuk perceptohen si të tilla por si modele që duhen ndjekur për të arritur standartet e modernitetit Evropian. Një shëmbull konkret, janë formatet televizive si “Big Brother” i cili punon për të krijuar konflikte dhe skandale e për të evidentuar se sa larg jemi si shoqëri përball Evropës së “civilizuar” dhe pa kufinj moral dhe etik. Realiteti nuk është aspak i tillë, shthurjet morale nuk përbëjnë dhe nuk do të përbëjnë kurrë modernitet! Por si është e mundur që në shumicën e shqiptarëve vlen e kundërta e asaj që thamë më lart? Po na përçohet e shpikura mediatike si reale gjë e cila çorjenton në mënyre katastrofale madje edhe modelet që në pretendojmë të marim nga perëndimi. Shëndrohemi kështu me ndjekjen e tyre në imitues të një bote e cila nuk egziston, dhe madje kur projektohemi në realitetin e saj gjëndemi ne si peshku pa ujë pikërisht në atë shoqëri që kemi zgjedhur ta kopjojmë dhe imitojmë verbërisht. Për shkak se kthehemi në karikaura të cilat perëndimoret habiten me ne se si është e mundur që jemi të tillë. Si një femër me shumë makiazh në fytyrë prej të cilit është shpërfytyruar dhe shëmtuar gjer sa nuk njihet më.
Përthithja e antivlerave në këtë mish-mash perceptimesh të relaitetit është një rrezik i cili duhet të pranohet si pjesë e kushteve për t’u “modernizuar”. Në këtë mënyrë edhe gjykimi mbi vlerat që në pretendojmë të marim mbetet relativ. Nëse ne shumë prej shoqërive perëndimore që ne përpiqemi ti imitojmë verbërisht është arritur perceptimi se shthurja morale tradhëtia bashkëshortore mashrrimi e kriminaliteti nuk jane pjesë e lavderueshme e shoqerive të tyre, neve e gjejmë veten ti marim edhe ato si pjese e modernizimit brënda në koston e biletës për në “El-Doradon” e propaganduar. Na duhet të kemi kurajon dhe forcën e të thënurit jo! Jo nuk e dua imoralitetin, jo nuk e dua shthurjen, jo nuk e dua zvetënimin e qelizës kryesore të shoqërisë sonë, pra familjen. Por, vërej se ka ardhur koha, në të cilën është e vështirë të dallohet e mira nga e keqja. Ai i cili e bën një gjë të tillë, shpesh herë në emër të vlerave fetare që janë të pa ndryshueshme dhe të pa tjetërsueshme nga çdo lloj ndryshimi kohërash, etiketohet si prapambetës dhe inert i kohëve të vjetra. Gabimi më i madh. Vlerat asnjëherë nuk vjëtersohën, asnjëherë nuk dalin jashtë mode. Do të citoja një shpreje të nënës sime, që në adoleshencën time të hershme atëherë kur ngarendja edhe unë të ndiqja modelet e imponuara të një perëndimi fallco dhe të importuar nga televizionet komenciale, sa herë që justifikoja vehten me argumentimin se kanë ndryshuar kohët dhe duhet të jemi më modern ajo përgjigjej se “ janë njerëzit që e bëjnë kohën dhe jo anasjelltas”. Individualisht, duhet të kemi kurajon të ndërtojmë kohën tonë, fatin tonë me një qëndrueshmëri prej heronjsh. Koha e sotme, e cila zhvesh njeriun nga frerët e nefsit (uni-t) të tij, bëhet armike e përpjekjeve për rikthimin nën drejtimin dhe kahje të qëndrueshme.


* Shkrimi eshte botuar ne “Revista Familja” shkurt, 2010

Nessun commento: