lunedì 20 settembre 2010

Vetrinizimi Social



Vajada Keçi Manjani


Vitrinizimi social - shfrytezim i figurës tënde?

Botën e bëjnë njerëzit, kohët ndryshojnë dhe karakteristikat e saj pësojnë evolucion dhe ndryshime thelbësore si pasojë e progresit apo regresit. Zhvillimet ekonomike, janë ato që përcaktojnë mirëqenien fizike të shoqërive, si e tillë në shumë mënyra ndikojnë në marrëdhëniet dhe karakteristikat cilësore të saj. Një shembull për këtë, është shoqëria perëndimore e cila në thelb të zhvillimit të saj ekonomik ka konsumin e produkteve dhe vlerësimin me çmim monetar të çdo elementi të mundshëm. Si e tillë është cilësuar si një shoqëri prodhimi, ajo vetëm prodhon produkte dhe bën gjithçka për t’i këmbyer ato. Shfrytëzon çdo element të mundshëm për arritjen e këtij qëllimi, dhe elementi më i frytshëm është “reklama”. Reklama, bën që produktet të vendosen në vitrinë në mënyrë që të jenë sa më tërheqës për blerësin duke i zbukuruar në mënyrën më të mirë gati-gati dhe ideale. Qëllimi kryesor i saj është pa dyshim ngjallja e endjes dhe dëshirës së madhe për konsumimin e tyre. Për këtë ajo llustrohet, ndriçohet dhe zbukurohet duke i paraqitur ato si produkte përrallore.
Elementet e ekonomisë nuk duken vetëm në vlerën monetare që ato prodhojnë, por edhe në mënyrën e jetesës që ato nxisin. Shoqëritë perëndimore shquhen jo më për shtyrjen që ato nxisin drejt “konsumimit” por ato kanë arritur gjer aty sa të prodhojnë “konsumizëm”, pra ta infektojë njeriun me sëmundjen e blerjes dhe vetëm blerjes së mallrave si qëllim i vetëm i jetës së tij. Paramendoni thënien e famshme që trumbetohet në perëndim dhe është kthyer tashmë si një rregull i përgjithshëm: “Kur je i mërzitur të bësh shopping të bën mirë e të ngre moralin”, pra të shpenzosh para kthehet në terapi kuruese. Nuk është hera e parë që marketingu ndërhyn në mënyrën e të menduarit të masave, mjafton të shohësh shoqërinë e sotme perëndimore nga ky këndvështrim. Ajo karakterizohet nga ”Arti i shikimit”, nga vënia në vitrinë e gjithçkaje me qëllim që të pëlqehet, të tërheqë apo edhe të dallohet nga të tjerët. Kjo shtrihet jo vetëm në produktet e konsumit, por edhe tek vetë njerëzit me figurën e tyre të jashtme apo të brendshme. Dëshira për t’u dukur mund të mos jetë e qëllimshme tek njeriu por vetë kushtet shoqërore në të cilën ndodhemi e nxisin atë për të “pozuar” para një publiku që nuk e njeh e që nuk e njohin, qoftë edhe në gjestet më minimale të përditshme. Ky fenomen sipas Vanni Codeluppi merr emrin “vitrinizim i shoqërisë.” Sipas tij, kjo tashmë është shndërruar në një fenomen social i cili ka hyrë gjer në damarët dhe venat e shoqërive perëndimore aq sa të jetë fenomeni më përfaqësues i kohës sonë: transparenca, zbulimi i gjithçkaje, shpalosja e sekreteve dhe i të fshehtave trupore duke e bërë këtë sikur të ishte një fenomen natyral dhe i pa evitueshem. Kjo shpreh një formë ideologjie absolute, e cila bën që të vendoset vetja në “vitrinë” përballë shikimit të tjetrit në mënyrë sa më idale dhe tërheqëse. Për këtë shkak, shumë studiues e sociologë, e kanë quajtur kulturën perëndimore si: “Civilizimi i imazheve”. Është mjaft e dukshme se forma më e fuqishme e komunikimit në ditët e sotme është pa dyshim paraqitja si mjeti më efektiv për të mbajtur një lidhje të fortë me realitetin dhe ky element paraqitet në formën e tij më të fuqishme në shoqëritë perëndimore: “Vlerat tona, mendimet dhe opinionet që përmbajmë e gjer tek besimet fetare ose jo, janë formësuar në mendjen tonë herë e më shumë në bazë të mënyrës se si kultura vizive (pamja) na shfaqet në jetën e përditshme. [Struken dhe Cartwight, 2001]
Këtij fenomeni, nuk i ka shpëtuar as trupi i njeriut. Është e pa evitueshme në ditët e sotme perceptimi i trupit si një mjet mjaft i rëndësishëm komunikimi, nëpërmjet të cilit individët mund të shfaqin identitetet e tyre sociale. Në veçanti vitrina është një stimul për shikimin i cili nxit pikërisht pasionin e “shikimit” për trupin njerëzor. Në kohët moderne jemi nën vëzhgim. Thjesht duke u paraqitur në publik e vendos veten nën shikimin e tjetrit duke u vëzhguar në detaje nën analizën e jashtme që i huaji i bën paraqitjes sonë. Ky fenomen është i pashmangshëm për sa kohë që jetojmë në një shoqëri e cila monedhën e parë të këmbimit ka paraqitjen e jashtme. Çdo marrëdhënie në shoqëritë perëndimore vërvitet nga “institucioni” i paraqitjes së jashtme. Sipas Michel Foucault “Demokratizimi” i bukurisë ia ka mundësuar të gjithëve që të bëhen të bukur, por kjo në të njëjtën kohë i ka detyruar ata të kujdesen në mënyrë konstante që kjo bukuri trupore të mos u venitet. I ka obliguar ato që vazhdimisht të përdorin mënyra dhe teknika që kjo bukuri të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur duke e kthyer trupin në një mjet i cili duhet të sistemohet herë pas here për t’u mbajtur në formë dhe sa më i bukur që të jetë e mundur. Në këtë mënyrë moda shndërrohet në një makinë e cila prodhon njerëz që ndjekin çdo tendencë të saj. Me anë të publicitetit këta njerëz shndërrohen në një treg mjaft të frytshëm për “industrinë e vetvetes” siç e quan Foucart të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë gjithmonë e më shumë për të thithur të rejat e modës së fundit. Këtë element ekonomik e ka trajtuar në mënyrë sociologjike edhe Zigmund Bouman duke analizuar efektet e teorive të marketingut modern mbi individin që është në ankth nga tendenca e paraqitjes së jashtme. Është e pamundur të lëmë pa përmendur një nga elementet më tragjike që shfrytëzimi ekonomik i figurës së njeriut ka sjellur në psikologjinë e tij. Një nga problemet që ka sjellë përqendrimi i tepruar në pamjen e jashtme është ajo që quhet “Sindroma e dismorfizmit trupor” (Body Dysmorphic Disorder) që do të thotë të fiksuarit në mënyrë të ngulët në një element të trupit të cilin e quan si një defekt gjer në urrejtje të tij (për shembull një hundë e madhe apo një dekolte e vogël). Në këtë mënyrë, pasuria e shpirtit njerëzor kalon në plan të dytë duke e minimizuar personalitetin njerëzor vetëm në disa detaje anatomike. Këtu qëndron dhe nyja thelbësore, tek fakti se paraqitja në mënyrë konstante e modeleve perfekte nëpër vitrinat e mediave vizive ose jo, bën që individet të vënë në plan të parë në mëndje defektet e tyre në krahasim me atë që u paraqitet si perfekte në mënyrë kaq të vazhdueshme përgjatë jetës së tij shoqërore. “Ky uniformizim kolektiv i paraqitjes së jashtme është derivat i përpjekjes konstante për të përmirësuar atë dhe për ta përshtatur në mënyrë të pavetëdijshme me modelet e suksesit dhe të bukurisë që u imponohen shoqërisë me anë të mediave dhe publicitetit.” [Franco La Cecla, v.b 2002, Itali, f. 174]
Në fakt, është për t’u shënuar fakti se vitrinizimi që individi i bën vetes paraqitet si një lloj arratisje nga realiteti i jetës së përditshme. Vitrina në vetvete është një hapësirë “ëndërre” e cila edhe pse artificiale, të tërheq thellësisht dhe të fton të hysh në brendësi të saj duke iu paraqitur shikuesit si diçka perfekte, ideale dhe pa probleme. Mendo vetëm faktin e rrobave që vishen për jashtë shtëpisë dhe atyre që vishen brenda saj. Kur përgatiteni për të dalë, i largoheni realitetit të jetës së përditshme natyrale, për të marrë një qëndrim tjetër duke e vendosur veten në një “pozë publike”. Ky model përthithet vazhdimisht nga shoqëritë perëndimore dhe në një dozë akoma më të thellë edhe nga ambientet tona. Vitrinizimi, duket se është kthyer tashmë në një fenomen social mjaft të vështirë për t’u çrrënjosur. Natyrisht që dhe veshja e individit paraqitet si një element të cilin ai mund ta shfrytëzojë për t’ia “shtuar vlerën vetes” dhe për të theksuar identitetin e tij shoqëror. Codelupi e ka cilësuar këtë si “Reklama e vetvetes”, pra reklama që njeriu i bën trupit të tij. Çdo element që e përbën jetën e përditshme si atë zyrtare ose jo, vërtitet nën uniformizimin e veshjes dhe qëndrimeve të caktuara në raste të caktuara. Le të mendohet rreth kodeve të veshjes që janë formuar në rastet e takimeve zyrtare për burrat siç është përdorimi i kravatës dhe kostumit apo dhe paraqitja në darkat zyrtare me fustane mbrëmjesh. Le të kujtohet perceptimi kolektiv që është formuar për sa i përket veshjes së kostumit të banjos medoemos në mënyrë që të dilet në plazh me të brendshme dhe një refuzim gjer në absurditet i shoqërisë së përgjithshme kur dikush tenton t’i thyejë këto rregulla duke u larë në plazh me rroba (siç është rasti i Burkini-t të muslimaneve turke). Raste të tilla priten si një krim i patolerueshëm kundrejt kostumit dhe veshjeve që tashmë janë popullore dhe të përhapura masivisht përkundër lirisë së shfrytëzimit të një resursi publik (detit) nga të gjithë brenda rregullave të etikës njerëzore.
Për fat të keq, në vendin tonë, procesi i zhvillimit dhe përhapjes së mediave ka krijuar një lloj hutije dhe mos dallimi nga ana e popullatës së asaj çka është reale dhe asaj çka është imagjinare dhe shpikje. Kjo i detyrohet jo vetëm faktit që për gati gjysmë shekulli vendi ynë ka qenë i izoluar nga zhvillimet shoqërore të kulturave fqinje por i detyrohet edhe kopjimit dhe instrumentalizimit të tyre masiv duke i përçuar shoqërisë sonë çdo lloj zhvillimi të jashtëm si kulturë dhe përparim pa iu detyruar asnjë lloj filtri inteligjent për ta përshtatur realitetin e jashtëm me kapacitetin dhe ritmin e brendshëm të zhvillimit sociologjik. Ka munguar në rastin tonë një institucion monitorimi i ndjeshmërisë së popullit ndaj elementeve të cilat ia kanë përçuar dhe shitur si zhvillim dhe përparim nga mediat formuese të opinionit publik. Këtu nuk bëhet fjalë për organe censure por për elemente që kanë nën vëzhgim injektimin e “ilaçeve” të këtij moderniteti që na janë servirur si zgjidhje për të arritur fqinjët tanë perëndimorë në zhvillimin e tyre. Sipas Paul Virilio në fakt, ngjarjet reale apo edhe ato të shpikura janë zmadhuar dhe amplifikuar aq shumë nga ana e mediave dhe mbi të gjitha e televizionit sa që kanë krijuar një pjesëmarrje kolektive në ngjarje dhe ndodhi aq sa të mos bëhet fjalë tashmë për “opinionin publik” por të një “emocioni publik” ku çdokujt i krijohet jo vetëm i njëjti mendim për një ndodhi por edhe e njëjta ndjenjë kolektive për të.
Nuk është e vështirë të vërehet se ky proces “perëndimizimi” dhe “modernizimi” është kaq i fuqishëm, saqë dhe kultura që nuk janë perëndimore po tentojnë gjithmonë e më shumë të infektohen nga kjo lloj paraqitje duke humbur ndjenjën e të fshehtës dhe misterit që ato gjithmonë kanë ngjallur tek perëndimorët. Ndryshe është perceptimi që Islami ushqen tek individi, duke filluar që nga mbulimi i mashkullit dhe i femrës si dhe ruajtja me rigorozitet e sferës private të jetës familjare. Në fakt Islami, nuk e pozicionon veten as në skajin e përqendrimit total vetëm në aspektin fizik dhe as nuk përqendrohet totalisht në aspektin shpirtëror, por e vendos veten në një sferë të mesme e cila tenton t’i largohet çdo lloj teprimi në ekstrem të sjelljes njerëzore. Paraqitja e jashtme, duhet të jetë në funksion të harmonisë shpirtërore dhe anasjelltas në mënyrë që të kultivohet një njeri i shëndoshë larg manive të individit dhe manipulimeve që atij për interesa të ndryshme tentohet t’i bëhet. Kodi i etikës islame, përmban në brendësi të tij elemente që e mbrojnë njeriun nga përdorimet që mund t’i bëhet figures se tij, si nga moda e shfrenuar ashtu edhe nga manitë e konsumizmit. Islami e balancon njeriun në nevojat e tij duke e ndihmuar të zhvillojë një jetë harmonike dhe në paqe.

Rev. Familja
(shtator, 2010)

lunedì 6 settembre 2010





Vajada Keçi (Manjani)
"Kur vlera humbet vlerë''
Numërohet se në çdo fe monoteiste, aktet e adhurimit përmbajnë në vetvete kuptim jo vetëm fizik por sidomos shpirteror. Veçanërisht në fenë islame, qëllimi në vetvete (nijeti) konsiderohet si një element thelbësor në vazhdimësinë e kontaktit të drejtëpërdrejtë midis krijeses dhe Krijuesit. “Objekti” i vetë i këtij qëllimi universal është përkufizuar në mënyrë madhështore brënda kufirit të Teuhidit (Njëshmërisë së Krijuesit). Jo më kot, në hierarkinë e përcaktimit të shtyllave të Islamit (që janë pesë) Teuhidi qëndron në bazë të praktikës fetare, duke formësuar kështu themelet e qëndrueshme të saj, si një burim i cili gjallëron dhe i jep jetë strukturës mbajtëse të Islamit. Të njohurit dhe të pranuarit e Njëshmërise së Krijuesit shndërrohet në një domosdoshmëri pa të cilën çdo praktikë fetare islame do të humbiste vlerën si vepër dhe do të asgjesohej në peshojen e veprave fetare tek vetë Krijuesi. Kështu, ato vepra të kualifikuara si tërësisht mekanike marrin jete dhe kuptim fetar, në momentin që kryhen në përputhje me vetëdijësimin e praktikimit të një riti adhurimi dhe madhërimi. Gjeste të vogla mund të marrin valencë kuptimore sublime nëse shoqërohen nga një “nijet” (qëllim) adhurimi, përkitazi më këtë, edhe veprat e mëdha (siç është rasti me namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin) mund të humbin tërësisht vlerë nëse privohen nga ky element thelbësor.


E vrojtur në këtë prizëm, praktikimi fetar, konceptohet si nje nga ndërmarrjet më serjoze dhe personale në jetën e një individi. Veçanërisht, ritet dhe praktikat fetare të Islamit gjënden të lidhura ngushtë me njëra tjetrën si nga aspekti praktik po ashtu edhe nga ai kuptimor: “çdo gjest i bërë duhet t’i dedikohet qëllimisht vetëm Allahut”. Ky element thelbësor, ka aftesinë ta shtrijë kuptimin e tij gjer në skajet e veprimtarisë njerëzore. Jo më kot Islami trajtohet si një sistem i mirëfilltë jetese dhe jo vetëm si një fe me rituale të caktuara shkëputur nga rrjedha e jetës së rëndomte e individit. Rituale të cilat nuk mund të dalin nga korrnizat fetare për vetë faktin se do ta humbisnin vlerën e tyre si të tilla. Shtrohet pyetja: çfare vlere do të kishin këto rituale po ta humbisnin vetë esencën që i përbën? Përgjigja në Islam vjen natyrshëm po të vërejmë se praktikimi i pjesshëm i çdo rituali fetar duke e privuar atë nga qellimi i përqëndruar në Teuhid do ta gjymtonte vlerën që kjo praktike përçon në vetë jetën e individit. Në fakt, ky koncept është përshkruar më së miri nga PARVEZ MANZOOR ne esenë e tij “Struktira konceptuale Islame” (publikuar i perkthyer ne gjuhen shqipe nga siti i internetit vizioni-islam.com) kur shprehet se: “Çdo diskutim i etikës në Islam, duhet që patjetër të rrjedhë nga teuhidi, duke qenë se ai është pjesë thelbësore e besimit islam. Në Islam, etika është e pandashme nga feja dhe ndërtohet tërësisht mbi të. Islami është, mbi gjithçka, pohim i sigurisë së teuhidit; njëshmërisë së Zotit. Si rrjedhim, teuhidi është parimi metafizik dhe teologjik par excellence, që i jep fesë Islame profilin unik dhe morfologjinë e saj të veçantë. Parimi i njëshmërisë, vlera mbështetëse kryesore e besimit të Teuhidit, është interpretuar në Islam si një aksiomë teleologjike: Zoti, i cili e ka krijuar universin, është gjithashtu synimi i tij përfundimtar. Në fakt synimi përfundimtar është një për gjithë universin, duke përfshirë të gjitha qeniet dhe krijesat. Ky synim është Zoti.” Për këtë arsye, praktikat fetare të privuara nga besimi në Zot janë shterpë dhe të pa vlefshme.

Forma apo qëllimi?


Siç thamë edhe më lart, rituale të caktuara marin valencë fetare kur theksohet vetëdijësimi tek individi se gjesti që po bën nuk i dedikohet askujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Paçka se esenca mistike dhe fetare e agjerimit të Ramazanit vazhdon të përcillet përtej ambjenteve rigorozisht fetare të ndërtuara nga besimtarët praktikant, gjithsesi ndihet nevoja e trasmetimit dhe thellimit të ndjenjës kolektive të shenjtërise së këtij muaji përtej traditës popullore. Kjo shenjtëri tregohet duke e përcjellur ushtrimin e saj në të gjitha sferat dhe aspektet që e rrethojnë. Do të ishte e udhes të transmetonim shëmbuj për ta ilustruar rëndësinë thelbësore që zotëron qëllimi në vetë pranueshmërinë e veprës së praktikës fetare. Por mund të mjaftohemi në këtë shkrim në shqyrtimin e këtij elementi për sa i përket një prej shtyllave bazë të fesë islame, pra agjërimi i muajit të Ramazanit.
Ndodh që për shkak të mos informimit mbi rregullat e brëndshme të agjëritmit (sinqeriteti dhe nijeti) apo edhe neglizhimit dhe mos dhënies përparësi atyre, ata të cilët dëshirojnë ta praktikojnë atë duke shoqëruar muslimanët gjat muajit të Ramazanit, rrezikojnë të krijojnë huti në vetë kuptimin esencial të tij. Kjo për shkak se si e tillë konsiderohet si një vepër e cila ka valencë të fuqishme shpirterore dhe praktike, dhe kjo bën që të konsiderohet domosdoshmerisht si shenjë e bindjes ndaj Allahut (xh.sh). Siç shprehet dhe Krijuesi i gjithësisë në Kur’anin Fisnik , se tek Ai nuk arrin vepra materjale dhe fizike por arrin bindja e besimtarit ndaj urdherave të Tij [“Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre,por te Ai arrin bindja (devotshmeria) e juaj…” (El-Haxh:37)]. Në këtë kontekst, duhet të kihet parasysh mirë se agjërimi pa një qëllim të kanalizuar nëpërmjet bindjes ndaj Allahut, e kthen veprën e largimit nga ushqimi në thjesht uri dhe etje. Pra, duke minimizuar dhe zhvlerësuar kështu një nga elementët më sulblim dhe kuptimplotë të fesë Islame.
Është e natyrshme që një praktike kaq e përhapur dhe e kapilarizuar në popullin tonë për shkak të traditave të lashta fetare, të përcillet gjërësisht në popullsinë e cila ende nuk e ka harruar dhe asgjësuar vetëdijësimin e saj fetar. Madje kjo vërehet edhe tek rezonanca e mënyres se si muslimanët e jetojnë atë në potencialitet të plotë, e kthen agjërimin në një nga eventet populore më të përhapur dhe më domethënës në kombin tonë.

Muslimanët praktikant, mbeten percuesit më të denjë te kesaj praktike, të cilet e kane kuptuar teresisht rendesine e saj. Qëllimi kryesor i këtyre të fundit, natyrisht që mbetet të jetë ai i përçimit të vlerave të sakta dhe origjinale të vetë agjërimit në ambjentin që i rrethon duke kontribuar në vetëdijësimin e tyre për këtë përgjegjësi. Paçka se esenca mistike dhe fetare e agjerimit të Ramazanit vazhdon të përcillet përtej ambjenteve rigorozisht fetare të ndërtuara nga besimtarët praktikant, prap ndihet nevoja e trasmetimit dhe thellimit të ndjenjës kolektive të shenjtërise së këtij muaji përtej traditës qytetare dhe mundësisë së venitjes së saj.
Egzistojnë familje muslimane në të cilat Islami shfaqet si një traditë e zbehtë dhe ku rëndësia e gjërave është zhvendosur ose spostuar në një sferë më tepër praktiko-tradicionale se sa praktiko-fetare. Të gjithë së bashku, duhet të kontribuojmë në rigjallërimin e këtyre traditave familjare duke ja kthyer dhe një herë kuptimin e vërtetë të esencës spirituale të tyre. Kjo sjell përkthimin në mënyrën më të mirë të nevojës që ka populli jonë për besim dhe vlera fetare.



Shpesh herë ndeshemi në individ tek të cilët agjërimi është shëndërruar në një praktikë e cila ka përjashtuar totalisht valencën fetare prej vetes. Raste të tilla mund të përmëndim ata të cilet e kanë zhvlerësuar agjerimin e ramazanit duke e kthyer thjesht në një rast të volitshëm për të nisur dieta rigoroze dhe afatgjate (?!?!), apo të tjerë të cilët për arsye jo fetare dëshirojnë të konformohen me grupet e besimtarëve (agjërimi pa qëllim adhurimi, apo për t’u dukur). Për sa i përket këtyre rasteve vlen ajo çka tham më lart. Kjo do te ndihmonte në zbehejen e perceptimi publik se të agjëruarit ndihmon në mbarëvajtjen e dietave apo në humbjen e peshës trupore. Në këtë kontekst vlen të përmëndet se vetë nutricionistët nuk e klasifikojnë agjërimin si dietë, por si regjim ushqimor i mirëfilltë i cili veçori karakteristike të tij ka ngrënien në orare të caktuara dhe domosdoshmerisht të rrespektuara në mënyrë rigorozisht konstante. Për më tepër, nuk raportohet prej tyre ndonje rënie e konsiderueshme në peshë të praktikuesve të agjërimit. Arsyja në dukje është e thjeshtë: kjo praktikë nuk karakterizohet nga mosngrënia totale, por nga spostimi i ngrënies dhe pirjes në orare të caktuara. Ky lloj rigoroziteti dhe disipline ndihmon në metabolizmin e trupit të njeriut duke i imponuar një regjim ndryshe nga ai monoton si dhe duke e regjur individin me një rigorozitet në ndarjen e kohës për nevojat e tij fizike. Prandaj, praktika e të agjeruarit për qëllime rënie peshe, nuk ka baza të justifikueshme për aq kohe sa kjo nuk e kryen këtë funksion përkunder opinionit që mund të jetë krijuar në perceptimin publik. Në aspektin fetar, agjërimi për arsye dietologjike apo pa arsye fare, përshtatet më së miri me fjalët profetike të Muhamedit a.s i cili me të drejtë e përshkruan këtë gjëndje si e tillë që ofron thjesht “uri dhe etje” . Për më tepër nutricionistët, nga ana e tyre, janë të bindur se të larguarit vullnetar nga ushqimi në mënyre totale dhe pa ndërprerje paraqet një rrezik të dukshëm për shëndetin dhe vetë jetën e njeriut, ndërsa për sa i përket largimit të pjesshem (siç eshte rasti i muajit te ramazanit) është më se i këshillueshëm dhe i rekomandueshëm për përmirësimin në patologji të ndryshme. E theksoj minimalisht këtë fakt, për shkak se mendoj se agjërimi i Ramazanit ka më shumë për të ofruar se sa thjështë një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe të ekuilibruar. Ashtu si urdhëresat e tjera fetare, dhe agjërimi i Ramazanit ka filozofinë e tij, pra arritja e disa objektivave të caktuara shpirtërore dhe sociale. Çkuptim do të kishte të thuash se agjërimi të bën mirë fizikisht ndërkohë që anashkalojmë objektivin thelbësor të tij: arritjen e kënaqësisë së Allahut! Ne si komunitet, mendoj se duhet të nisim një fushatë sensibilizimi të shoqërisë sonë në fokusimin e saj tek vlerat primare të praktikave tona fetare, duke u larguar kështu nga gjetja e vazhdueshme e justifikimeve se kjo apo ajo praktikë fetare ka këtë apo atë dobi duke anashkaluar thelbin e duke vënë në plan të parë pasojat. Në këtë rast, edhe praktikimi i tyre do të ishte më i vetëdijshëm dhe i pastër, e pas kësaj le të mirëpresim me kënaqësi dobitë e tyre duke qënë se Zoti jonë është shpërblyesi më i mirë për to.

Rev. Familja
Shtator 2010

giovedì 2 settembre 2010


Vajada KEÇI (MANJANI)
Brescia, Itali

VELLOJA ISLAME DHE PRESIONET E JASHTME

Asmae Dachan: “Kam mbuluar kokën, por jo dhe mendjen”.

Opinioni publik apo edhe privat që kanë perëndimorët sot e kësaj dite për sa i përket vellos islame është shumë kontradiktor, dhe lidhet ngushtë me mospranimin e identiteteve të shumta që përbëjnë qenien komplekse të njeriut. Edhe pse jetoj në Itali me vello islame mbi krye, jam e bindur se qëndrimi i italianëve mbi këtë element është pothuajse i njëjtë me atë të francezëve, spanjollëve, holandezëve e kështu me radhë. Kjo për dy arsye konkrete: E para ka të bëjë me llojin e politikës që po përfshin Kontinentin e Vjetër i karakterizuar nga dalja në skenë e partive të djathta ksenofobe të cilat si politikë kryesore të tyre kanë ushqimin dhe më pas instrumentalizimin e ndjenjës së frikës kolektive. Ato në qendër të programeve të tyre elektorale mbartin çrrënjosjen e emigracionit duke u përqendruar kryesisht në disa simbole që ata i quajnë “të huaj” në botëkuptimin europian. Njëri prej këtyre simboleve është pikërisht velloja islame. E tillë u mor në “shënjestër” si element më i dukshëm i fenomenit të emigracionit, si dhe më i lehtë për t’u etiketuar dhe “luftuar”. Ndërsa arsyeja e dytë, mbetet të jetë përdorimi masiv, pra instrumentalizimi i kësaj ”frike nga e huaja”, prej mediave vizive dhe të shkruara si për arsye të aleancës me politikën në problematika sociale të shpikura prej saj, ashtu edhe për kërkimin e vazhdueshëm të tyre të rritjes së shikueshmërisë, pra “audiencës”.
Vë në dukje një element mjaft të rëndësishëm që mendoj se duhet theksuar: Velloja islame, në vendet perëndimore, paraqitet si një element i cili është shfaqur masivisht përkitazi me fenomenin e emigracionit të familjeve muslimane në vendet e industrializuara europiane. Paçka se Europa krenohet me rrënjët e saj kristiane dhe ka në gjirin e saj femra me vello katolike, gjithsesi velloja islame është klasifikuar botërisht në mendjen e tyre si një element i ri dhe i huaj për këtë kontinent. Mediat në Itali, në mënyrë të vazhdueshme ndikojnë në mbajtjen gjallë të perceptimit negativ të masave mbi këtë fenomen duke ushqyer gjithmonë e më shumë kronika të fryra të pikturuara të realiteteve të rëndomta për të përfituar bujën mediatike të karakterizuar nga shikueshmëria tej mase e lartë e programeve televizive të cilat krijojnë në brendësi të tyre, një përballje të dhunshme të të dyja kulturave (asaj islame dhe asaj katolike). Kjo i jep publikut një perceptim relativ sikur inskenimi i konflikteve të shpikura mediatikisht përbën realitetin që e rrethon. Me këtë abuzim të fuqisë së saj, media vizive arrin të përhapë botërisht efektet që ajo dëshiron, jo vetëm duke manipuluar “opinionin publik” por duke e shndërruar atë në një “emocion publik”, siç pohon Paul Virillio, emocion ky i cili përhapet në vende të ndryshme te botes njëkohësisht.
Në këto shoqëri, elementi i medias tenton të krijojë dhe të ushqejë një imagjinatë kolektive të caktuar për figurën e femrës me vello islame. Ato e krijojnë këtë perceptim duke u bazuar kryesisht në stereotipe të shumta të përhapura në popullsi. Në imagjinatën kolektive femra me shami paraqitet si e “robëruar nga familja, e detyruar që në vegjëli të martohet me mesoburra në moshë shumë herë më të madhe se e saj, të zgjedhur dhe imponuar me dhunë nga “i ati padron” i cili i dhunon fizikisht dhe psikologjikisht brenda mureve të shtëpisë çdo femër që gjendet në brendësi të saj. Për të mbuluar shenjat e kësaj dhune të ushtruar mbi femrat ato i detyrojnë të mbulojnë çdo centimetër të trupit të tyre me tesha të gjera dhe të trasha...“ Kjo imagjinatë kolektive dhe shumë të tjera të ngjashme të përhapura masivisht, shkon edhe më tej aq sa të pohojë se “femra muslimane perceptohet (ose tentohet të paraqitet prej tyre) si një femër e gjorë e cila duhet shpëtuar nga zgjedha e padronit të saj mashkull brenda familjes. Ata (pra perëndimoret) duhet ta lirojnë medoemos nga kjo zgjedhë fatkeqe. Si simbol i këtij lirimi donkishotesk nga ana e tyre merret zhveshja e femrës muslimane nga “shamia-burg” që e detyruar dhe e imponuar nga prepotenca mashkullore e mban veshur si simbol të robërisë dhe nënshtrimit të saj ndaj burrit”. Fatkeqësisht ky makinacion mediatik merret si i mirëqenë nga pjesa më e madhe e popullsisë e cila bindet lehtë prej “vërtetësisë” skenike e pohuar nga fakte të marra nga ndonjë tribù afrikane apo aziatike prej dorës së ndonjë krimineli mashkull, duke harruar se fatkeqësisht çdo shoqëri ka thyesit e ligjeve të saj, e një mijë e një të liga kanë pushtuar botën jo për faj të fesë por të mungesës së saj. Natyrisht që kjo imagjinatë kolektive është e ushqyer dendur nga promotorë socialë të lëvizur drejtpërsëdrejti nga dy elementët e lartpërmendur, pra media dhe politika. Kështu, libra si “Murata Viva”; “Gjuetari i balonave” apo dhe mjaft të tjerë të shkruar nga individë nga vende me kriza të thella sociale për shkak të luftrave që përjetojnë, si Iraku apo Afganistani, e gjejnë veten të promovuar në masë të gjerë nga organet propaganduese si një liri shtypi e mohuar në vendet e tyre dhe e gjetur në perëndim. Si një realitet që duhet ndryshuar nga “shpëtimtari” i ndodhur në perëndim, ndoshta kjo është dhe mënyra që perëndimi dëshiron ta shohë vetveten. Në këto libra, hyjnizohet kultura perëndimore dhe demonizohet ajo orientale me shembujt më negativë të paraqitjes së këtyre problemeve sociale të cilat janë më tepër pasojë e traditave endemike sesa të një praktikimi të saktë të Islamit. Duke anashkaluar faktin se sikur Islami të praktikohej në formën e duhur, këto probleme nuk do të kishin ekzistuar kurrsesi. Fatkeqësisht kjo lloj literature e instrumentalizuar dhe e programuar për të krijuar skandal dhe çorientim, ka gjasa të ndikojë dhe te devijoje botkuptimin e asaj mase të popullsisë e cila tenton me kuriozitet që të mësojë diçka më shumë mbi këto femra. Vendosen në një rrafsh të njëjtë vlerësimi, të gjitha femrat e mbuluara, si ato që jetojnë në një kontekst lirie dhe demokracie ashtu dhe ato që jetojnë të detyruara nën kontekste ekstreme diktatoriale apo edhe destabiliteti social për shkaqe madhore lufte dhe krizash, shiten sikur të ishin probleme edhe në ato vende ku lulëzon liria e veprimit dhe e praktikimit të shëndoshë të parimeve fetare. Këta faktorë instrumentalizohen dhe përçohen në shoqëri si probleme universale, të cilat gjenden kudo që gjendet një femër me vello islame. Shembull konkret për një fenomen të tillë është pikërisht Shqipëria. Perceptimi i lartpërmendur, është importuar edhe në vendin tonë edhe pse problemet e emigracionit të shtetasve nga vendet arabe nuk përbëjnë peshë sociale të konsiderueshme (siç mund të jetë fjala bie në Itali, Francë apo Gjermani) por kryesisht femrat me shami janë vendase dhe jo emigrante të ardhura nga vendet arabe apo gjetkë. Nga rrethe të caktuara interesi në Shqipëri ato tentohen që të paraqiten si femra të dhunuara dhe të detyruara nga familja. Ky është shembulli i radhës i interpretimit të një teorie të importuar nga vendet perëndimore e marrë shabllon nga shqiptarët pa i bërë aspak një filtrim në bazë të situatës dhe problematikave sociale në Shqipëri. Ajo nuk përputhet me problematikën reale të mbulimit islam tek femrat shqiptare, duke qenë se përqindja më e madhe e tyre e kanë bërë këtë gjest duke qenë plotësisht të kundërshtuar nga familja, madje dhe nën dhunim apo presioneve të tyre ndaj saj, me qëllim që të privohet nga liria e veshjes sipas rregullave fetare.
Për sa i përket politikës, ajo është një mjet i fuqishëm opinionbërës në vendin ku ndodhem duke qenë se mediat kryesore janë në pronësi të eksponentëve të lartë politikë (grupi Mediaset është në pronësi të kryeministrit Silvio Berlusconi i cili ka një aleancë qeveritare thelbësore me partinë ksenofobe “Lega Nord” ndërsa RAI është një rrjet televiziv shtetëror, pra i kontrolluar nga organet qeveritare) të cilët i japin rezonancë të konsiderueshme propozimeve ksenofobe dhe kryesisht anti-islame. Duke qenë se pikërisht këtu në Itali nuk kanë ekzistuar elemente islame kaq të përhapur dhe të kapilarizuar në jetën e përditshme të çdo italiani sa për të formuar një opinion autonom dhe të pa ndikuar nga çka thamë më lart. Në këtë mënyrë dhe velloja islame e cila nuk mbahet vetëm nga emigrante të ardhura nga vendet islame por edhe nga italiane të konvertuara e të kthyera në muslimane, tentojnë ta përçojnë në botëkuptimin publik si një element të huaj i cili kushdo që dëshiron ta mbajë atë le të “shkojë në vendin e vet” pa marrë parasysh se shumë syresh janë në “vendin e vet” duke qenë shtetase italiane që nga lindja! Të tillë, kanë kontribuar në formimin e një opinioni publik të pa precedent refuzimi të vellos islame si një simbol real i lirisë së femrës për të vendosur vetë fatin e saj në përgjegjësi të plotë para Krijuesit të gjithçkaje.
Në realitetin e përditshëm vëren se gjithkush ka një perceptim të vetin për lirinë e individit. Mund të arrish të takosh njerëz të cilët janë mjaft të hapur ndaj lirive dhe hapësirës personale që një individ duhet të gëzojë por kjo për aq kohë sa nuk ke ndonjë ndërveprim interesash me to. Të ndihmuar nga impakti që emigrimi i ka sjellë kontaktit të njerëzve me kultura të ndryshme të cilat dashje pa dashje bashkëjetojnë në të njëjtin territor, është mundur të zbutet disi ashpërsia e perceptimeve që u imponohet individëve nga elementët e jashtëm të sipërpërmendur. Sado tronditëse të jetë përballja e një femre muslimane me mendime të tilla, ato gradualisht arrijnë ta ndryshojnë këtë perceptim tek njerëzit me vetë shembullin që japin në jetën e përditshme. Shembuj këto, konkret të një pavarësie dhe lirie reale të admirueshme që gëzojnë nga Islami.

rev. Familja
(gusht, 2010)