lunedì 20 settembre 2010

Vetrinizimi Social



Vajada Keçi Manjani


Vitrinizimi social - shfrytezim i figurës tënde?

Botën e bëjnë njerëzit, kohët ndryshojnë dhe karakteristikat e saj pësojnë evolucion dhe ndryshime thelbësore si pasojë e progresit apo regresit. Zhvillimet ekonomike, janë ato që përcaktojnë mirëqenien fizike të shoqërive, si e tillë në shumë mënyra ndikojnë në marrëdhëniet dhe karakteristikat cilësore të saj. Një shembull për këtë, është shoqëria perëndimore e cila në thelb të zhvillimit të saj ekonomik ka konsumin e produkteve dhe vlerësimin me çmim monetar të çdo elementi të mundshëm. Si e tillë është cilësuar si një shoqëri prodhimi, ajo vetëm prodhon produkte dhe bën gjithçka për t’i këmbyer ato. Shfrytëzon çdo element të mundshëm për arritjen e këtij qëllimi, dhe elementi më i frytshëm është “reklama”. Reklama, bën që produktet të vendosen në vitrinë në mënyrë që të jenë sa më tërheqës për blerësin duke i zbukuruar në mënyrën më të mirë gati-gati dhe ideale. Qëllimi kryesor i saj është pa dyshim ngjallja e endjes dhe dëshirës së madhe për konsumimin e tyre. Për këtë ajo llustrohet, ndriçohet dhe zbukurohet duke i paraqitur ato si produkte përrallore.
Elementet e ekonomisë nuk duken vetëm në vlerën monetare që ato prodhojnë, por edhe në mënyrën e jetesës që ato nxisin. Shoqëritë perëndimore shquhen jo më për shtyrjen që ato nxisin drejt “konsumimit” por ato kanë arritur gjer aty sa të prodhojnë “konsumizëm”, pra ta infektojë njeriun me sëmundjen e blerjes dhe vetëm blerjes së mallrave si qëllim i vetëm i jetës së tij. Paramendoni thënien e famshme që trumbetohet në perëndim dhe është kthyer tashmë si një rregull i përgjithshëm: “Kur je i mërzitur të bësh shopping të bën mirë e të ngre moralin”, pra të shpenzosh para kthehet në terapi kuruese. Nuk është hera e parë që marketingu ndërhyn në mënyrën e të menduarit të masave, mjafton të shohësh shoqërinë e sotme perëndimore nga ky këndvështrim. Ajo karakterizohet nga ”Arti i shikimit”, nga vënia në vitrinë e gjithçkaje me qëllim që të pëlqehet, të tërheqë apo edhe të dallohet nga të tjerët. Kjo shtrihet jo vetëm në produktet e konsumit, por edhe tek vetë njerëzit me figurën e tyre të jashtme apo të brendshme. Dëshira për t’u dukur mund të mos jetë e qëllimshme tek njeriu por vetë kushtet shoqërore në të cilën ndodhemi e nxisin atë për të “pozuar” para një publiku që nuk e njeh e që nuk e njohin, qoftë edhe në gjestet më minimale të përditshme. Ky fenomen sipas Vanni Codeluppi merr emrin “vitrinizim i shoqërisë.” Sipas tij, kjo tashmë është shndërruar në një fenomen social i cili ka hyrë gjer në damarët dhe venat e shoqërive perëndimore aq sa të jetë fenomeni më përfaqësues i kohës sonë: transparenca, zbulimi i gjithçkaje, shpalosja e sekreteve dhe i të fshehtave trupore duke e bërë këtë sikur të ishte një fenomen natyral dhe i pa evitueshem. Kjo shpreh një formë ideologjie absolute, e cila bën që të vendoset vetja në “vitrinë” përballë shikimit të tjetrit në mënyrë sa më idale dhe tërheqëse. Për këtë shkak, shumë studiues e sociologë, e kanë quajtur kulturën perëndimore si: “Civilizimi i imazheve”. Është mjaft e dukshme se forma më e fuqishme e komunikimit në ditët e sotme është pa dyshim paraqitja si mjeti më efektiv për të mbajtur një lidhje të fortë me realitetin dhe ky element paraqitet në formën e tij më të fuqishme në shoqëritë perëndimore: “Vlerat tona, mendimet dhe opinionet që përmbajmë e gjer tek besimet fetare ose jo, janë formësuar në mendjen tonë herë e më shumë në bazë të mënyrës se si kultura vizive (pamja) na shfaqet në jetën e përditshme. [Struken dhe Cartwight, 2001]
Këtij fenomeni, nuk i ka shpëtuar as trupi i njeriut. Është e pa evitueshme në ditët e sotme perceptimi i trupit si një mjet mjaft i rëndësishëm komunikimi, nëpërmjet të cilit individët mund të shfaqin identitetet e tyre sociale. Në veçanti vitrina është një stimul për shikimin i cili nxit pikërisht pasionin e “shikimit” për trupin njerëzor. Në kohët moderne jemi nën vëzhgim. Thjesht duke u paraqitur në publik e vendos veten nën shikimin e tjetrit duke u vëzhguar në detaje nën analizën e jashtme që i huaji i bën paraqitjes sonë. Ky fenomen është i pashmangshëm për sa kohë që jetojmë në një shoqëri e cila monedhën e parë të këmbimit ka paraqitjen e jashtme. Çdo marrëdhënie në shoqëritë perëndimore vërvitet nga “institucioni” i paraqitjes së jashtme. Sipas Michel Foucault “Demokratizimi” i bukurisë ia ka mundësuar të gjithëve që të bëhen të bukur, por kjo në të njëjtën kohë i ka detyruar ata të kujdesen në mënyrë konstante që kjo bukuri trupore të mos u venitet. I ka obliguar ato që vazhdimisht të përdorin mënyra dhe teknika që kjo bukuri të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur duke e kthyer trupin në një mjet i cili duhet të sistemohet herë pas here për t’u mbajtur në formë dhe sa më i bukur që të jetë e mundur. Në këtë mënyrë moda shndërrohet në një makinë e cila prodhon njerëz që ndjekin çdo tendencë të saj. Me anë të publicitetit këta njerëz shndërrohen në një treg mjaft të frytshëm për “industrinë e vetvetes” siç e quan Foucart të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë gjithmonë e më shumë për të thithur të rejat e modës së fundit. Këtë element ekonomik e ka trajtuar në mënyrë sociologjike edhe Zigmund Bouman duke analizuar efektet e teorive të marketingut modern mbi individin që është në ankth nga tendenca e paraqitjes së jashtme. Është e pamundur të lëmë pa përmendur një nga elementet më tragjike që shfrytëzimi ekonomik i figurës së njeriut ka sjellur në psikologjinë e tij. Një nga problemet që ka sjellë përqendrimi i tepruar në pamjen e jashtme është ajo që quhet “Sindroma e dismorfizmit trupor” (Body Dysmorphic Disorder) që do të thotë të fiksuarit në mënyrë të ngulët në një element të trupit të cilin e quan si një defekt gjer në urrejtje të tij (për shembull një hundë e madhe apo një dekolte e vogël). Në këtë mënyrë, pasuria e shpirtit njerëzor kalon në plan të dytë duke e minimizuar personalitetin njerëzor vetëm në disa detaje anatomike. Këtu qëndron dhe nyja thelbësore, tek fakti se paraqitja në mënyrë konstante e modeleve perfekte nëpër vitrinat e mediave vizive ose jo, bën që individet të vënë në plan të parë në mëndje defektet e tyre në krahasim me atë që u paraqitet si perfekte në mënyrë kaq të vazhdueshme përgjatë jetës së tij shoqërore. “Ky uniformizim kolektiv i paraqitjes së jashtme është derivat i përpjekjes konstante për të përmirësuar atë dhe për ta përshtatur në mënyrë të pavetëdijshme me modelet e suksesit dhe të bukurisë që u imponohen shoqërisë me anë të mediave dhe publicitetit.” [Franco La Cecla, v.b 2002, Itali, f. 174]
Në fakt, është për t’u shënuar fakti se vitrinizimi që individi i bën vetes paraqitet si një lloj arratisje nga realiteti i jetës së përditshme. Vitrina në vetvete është një hapësirë “ëndërre” e cila edhe pse artificiale, të tërheq thellësisht dhe të fton të hysh në brendësi të saj duke iu paraqitur shikuesit si diçka perfekte, ideale dhe pa probleme. Mendo vetëm faktin e rrobave që vishen për jashtë shtëpisë dhe atyre që vishen brenda saj. Kur përgatiteni për të dalë, i largoheni realitetit të jetës së përditshme natyrale, për të marrë një qëndrim tjetër duke e vendosur veten në një “pozë publike”. Ky model përthithet vazhdimisht nga shoqëritë perëndimore dhe në një dozë akoma më të thellë edhe nga ambientet tona. Vitrinizimi, duket se është kthyer tashmë në një fenomen social mjaft të vështirë për t’u çrrënjosur. Natyrisht që dhe veshja e individit paraqitet si një element të cilin ai mund ta shfrytëzojë për t’ia “shtuar vlerën vetes” dhe për të theksuar identitetin e tij shoqëror. Codelupi e ka cilësuar këtë si “Reklama e vetvetes”, pra reklama që njeriu i bën trupit të tij. Çdo element që e përbën jetën e përditshme si atë zyrtare ose jo, vërtitet nën uniformizimin e veshjes dhe qëndrimeve të caktuara në raste të caktuara. Le të mendohet rreth kodeve të veshjes që janë formuar në rastet e takimeve zyrtare për burrat siç është përdorimi i kravatës dhe kostumit apo dhe paraqitja në darkat zyrtare me fustane mbrëmjesh. Le të kujtohet perceptimi kolektiv që është formuar për sa i përket veshjes së kostumit të banjos medoemos në mënyrë që të dilet në plazh me të brendshme dhe një refuzim gjer në absurditet i shoqërisë së përgjithshme kur dikush tenton t’i thyejë këto rregulla duke u larë në plazh me rroba (siç është rasti i Burkini-t të muslimaneve turke). Raste të tilla priten si një krim i patolerueshëm kundrejt kostumit dhe veshjeve që tashmë janë popullore dhe të përhapura masivisht përkundër lirisë së shfrytëzimit të një resursi publik (detit) nga të gjithë brenda rregullave të etikës njerëzore.
Për fat të keq, në vendin tonë, procesi i zhvillimit dhe përhapjes së mediave ka krijuar një lloj hutije dhe mos dallimi nga ana e popullatës së asaj çka është reale dhe asaj çka është imagjinare dhe shpikje. Kjo i detyrohet jo vetëm faktit që për gati gjysmë shekulli vendi ynë ka qenë i izoluar nga zhvillimet shoqërore të kulturave fqinje por i detyrohet edhe kopjimit dhe instrumentalizimit të tyre masiv duke i përçuar shoqërisë sonë çdo lloj zhvillimi të jashtëm si kulturë dhe përparim pa iu detyruar asnjë lloj filtri inteligjent për ta përshtatur realitetin e jashtëm me kapacitetin dhe ritmin e brendshëm të zhvillimit sociologjik. Ka munguar në rastin tonë një institucion monitorimi i ndjeshmërisë së popullit ndaj elementeve të cilat ia kanë përçuar dhe shitur si zhvillim dhe përparim nga mediat formuese të opinionit publik. Këtu nuk bëhet fjalë për organe censure por për elemente që kanë nën vëzhgim injektimin e “ilaçeve” të këtij moderniteti që na janë servirur si zgjidhje për të arritur fqinjët tanë perëndimorë në zhvillimin e tyre. Sipas Paul Virilio në fakt, ngjarjet reale apo edhe ato të shpikura janë zmadhuar dhe amplifikuar aq shumë nga ana e mediave dhe mbi të gjitha e televizionit sa që kanë krijuar një pjesëmarrje kolektive në ngjarje dhe ndodhi aq sa të mos bëhet fjalë tashmë për “opinionin publik” por të një “emocioni publik” ku çdokujt i krijohet jo vetëm i njëjti mendim për një ndodhi por edhe e njëjta ndjenjë kolektive për të.
Nuk është e vështirë të vërehet se ky proces “perëndimizimi” dhe “modernizimi” është kaq i fuqishëm, saqë dhe kultura që nuk janë perëndimore po tentojnë gjithmonë e më shumë të infektohen nga kjo lloj paraqitje duke humbur ndjenjën e të fshehtës dhe misterit që ato gjithmonë kanë ngjallur tek perëndimorët. Ndryshe është perceptimi që Islami ushqen tek individi, duke filluar që nga mbulimi i mashkullit dhe i femrës si dhe ruajtja me rigorozitet e sferës private të jetës familjare. Në fakt Islami, nuk e pozicionon veten as në skajin e përqendrimit total vetëm në aspektin fizik dhe as nuk përqendrohet totalisht në aspektin shpirtëror, por e vendos veten në një sferë të mesme e cila tenton t’i largohet çdo lloj teprimi në ekstrem të sjelljes njerëzore. Paraqitja e jashtme, duhet të jetë në funksion të harmonisë shpirtërore dhe anasjelltas në mënyrë që të kultivohet një njeri i shëndoshë larg manive të individit dhe manipulimeve që atij për interesa të ndryshme tentohet t’i bëhet. Kodi i etikës islame, përmban në brendësi të tij elemente që e mbrojnë njeriun nga përdorimet që mund t’i bëhet figures se tij, si nga moda e shfrenuar ashtu edhe nga manitë e konsumizmit. Islami e balancon njeriun në nevojat e tij duke e ndihmuar të zhvillojë një jetë harmonike dhe në paqe.

Rev. Familja
(shtator, 2010)

Nessun commento: