domenica 15 novembre 2009

Super femra muslimane


Super femra muslmane*



Nga: Vajada Keçi Manjani


"E gjendur para një morie fjalësh tepër të brishta për t'u ruajtur në memorje."

Ajo çka po mendoja e rrëmbyer nga vala e argumentimeve, paraqitet të jetë disi e vështirë për t'u mbledhur fjalë për fjalë nga memorja. Koncepti është i thjeshtë, por duket se vrulli emocional që kaherë më karakterizon e pengon shfaqien e paragrafeve të thurur në mendje. Do të ishte humbje t'i mbaja për vete të fshehura në subkonshiencë n time ndaj po ri përgatitem që t'i bëj edhe një herë vizitë kasolleve të mendimeve të strukura në memorje.

Nuk është e thejshtë të jetosh në kaosin e një kohe e cila të përfshin me vrullin e saj sikur të ishte një lum i rrëmbyer. Dita është tepër e shkurtër për t'iu përgjigjur aktiviteteve që mendja nuk resht kurrë së fabrikuari. Nata është tepër e gjatë për të pritur agimin, e ndihmuar edhe nga pagjumësia jo-produktive. Ajo fije e hollë kohë që ngahera rend së kërkuari për të përmbushur mini-pasionet e përditshme, entuziasmi dhe stepja si gjithmonë kërcënohen nga bukosja e morisë së aktiviteteve që përplasen me njëra-tjetrën për të kërkuar disi kohë. E mësuar me të tilla ritme, më bën përshtypje të vërej se si edhe një gjest kaq delikat dhe domosdoshmërisht shplodhës si ai i të ngrënit, të përcillet me të njëjtat ritme kaotike të punëve të tjera të ditës që s'del kurrë për t'i përmbushur të tëra. Super-grua i them vetes, edhe pse ia kam lejuar asaj luksin e të bërit vetëm gjërat që i kam pasion (privilegj i rrallë ky për një studente). Ngahera mendoj për fantazmat e së kaluarës që si mullinjtë e erës talleshin me të mjerin Don Kishot dhe po ashtu dhe unë sot nënqesh me bëmat e tyre mjerane dhe qesharake. Ja dhe një kafshatë e hidhur të cilën duhet ta përtyp pa reshtur, durim.

Hiper-aktiviteti që gjithmonë më ka munduar, sot më bën të ndihem e pafuqishme, e pa udhë dhe e pa drejtim. Hiper-aktiviteti, fundja nuk është edhe ndonjë gjë aq pozitive sa mendoja, ai të bën të shtrydhesh gjer sa të arrish në limitet e tua dhe të jesh e vetëdijshme për to. Po fundja limitet janë bërë për t'u kapërcyer. Janë pikërisht këto limite që më frikësojnë, vetëdijesimi se më tepër se kaq nuk mund të bësh, se më larg se kaq nuk mund të shkosh, ndërkohë që shpirti dhe ambicia të shtyjnë përtej kufijve dhe koha aq e shtrenjtë dhe aftësitë aq të kufizuara dhe të pazhvilluara mirë të bëjnë të përplasesh në telin e lartë dhe të trashë me gjemba të cilat ngulen thellë në mish e në përpjekje për t'u liruar të mbërthejnë akoma më fort. E ngecur në atë rrjetë të fortifikuar të limiteve të tua kalojnë ditët në hiper-aktivitet në vuajtje akoma më konstante. Kanalizimi i duhur i aftësive të një personi, do të ishte zgjidhja më e mirë e një dileme të tillë, falë Zotit në rastin tim faktorë të jashtëm nuk më imponojnë një bllokim total të tyre por dhe as që nxisin për një zhvillim.

Di që në të njëjtën gjendje janë edhe të tjera "Super femra muslimane", por që nën syrin e admirimit tim, ato sot janë nëna dhe gra shtëpie par exellance ashtu siç natyra femërore me dashuri na imponon. Të tilla super-nëna dhe gra shtëpie gjenden përpara një potenciali të zotëruar dhe një nxitje për aktivitete, karakteristikë e fesë sonë të cilën me shumë hir e zotërojnë. Interesant është të theksohet se jo gjithmonë janë të mirëpritura nga ambienti hiper-maskilist i shoqërisë sonë muslimane që na rrethon. Dikush përpiqet që t'i quajë këto femra si aktiviste feministe muslimane, të akuzuara se me punën e tyre lënë pas dore autoritetin e "brishtë" të meshkujve të tyre, se kinse ato duhet të reshtin së qenuri aktive për shkak se meshkujt e tyre nuk janë të tillë dhe kështu figura e tyre del në plan të dytë duke lartësuar të sajën. Me pa të drejtë të tillë më quajtën edhe mua jo shumë larg prej kësaj dite. Them me pa të drejtë sepse është e natyrshme që nuk pranoj asnjë prej këtyre akuzave të cilat asnjë grua nuk duhet t'i pranojë. E para, dhe më e dukshmja qëndron në faktin se jo çdo femër muslimane është feministe, term që sot nuk merr nota dhe aq pozitive sidomos drejtuar një femre muslimane. Nëse një muslimane ka potencialin dhe mjetet e nevojshme për të ushtruar atë çka feja që në themel i imponon jo domosdoshmërisht mund të quhet një feministe aktiviste! Mua personalisht as që më shkon në mendje një gjë e tillë, por prapë rri dhe theksoj se Islami i ka dhënë më tepër hapësirë femrës muslimane nga ajo sa meshkujt muslimanë të sotëm duan t'i japin asaj, dhe kjo nuk është faji i feministeve muslimane nëse duam t'i quajmë të tilla. E dyta, secili ka një llogari në vete përpara Krijuesit në Ditën e Gjykimit, në llogarinë e së cilës çdokush është i obliguar të mbajë barrën e vet dhe asgjë nga barra e tjetrit. Arsyeja për të cilën është e natyrshme të besohet se pesha e punëve të veta do të bie në peshoren e secilit dhe asnjë njeri s'ka pse të përgjigjet për aktivitetin ose jo të dikujt tjetër, jo të gjithë jemi njësoj dhe jo prej të gjithëve mund të pritet e njëjta gjë. Pikërisht për këtë nuk mund të kufizohet dikush për shkak të dikujt tjetër, aq më tepër nuk mund të kufizohet gruaja për shkak të bashkëshortit sidomos kur vetë bashkëshorti është bashkëpunues mjaft frytdhënës në aktivitetin e saj. Të tillë meshkuj janë për t'u lavdëruar dhe për të bërë du'a që numri i tyre të shtohet në shoqërinë tonë dhe jo të akuzohen femrat për hiper-aktivitet gjë për të cilën kemi aq nevojë në ditët e sotme. Nësë vërehet një gjë e tillë atëherë edhe një herë po nxirret në pah entiteti maskilist agresiv i pa mësuar me praninë e femrave në mejdan, përkundër fesë që i përkrah.

Është e vërtetë, kam parë në jetën time jo aq të gjatë femra muslimane të cilat janë shndërruar në monstra të karrierës dhe përbindësh të më të dobtit në emër të revoltës ndaj shtypjeve dhe pengesave të hasura gjatë jetës së tyre të vështirë në shoqëri, por kjo nuk më pengon aspak të mendoj se ky shndërrim ka qenë fryt i mangësive të tyre personale dhe nuk ka të bëjë aspak me trajtat dhe konturet e elitës së re të femrave muslimane në vendin tonë e më gjerë. Nga ana tjetër, kam hasur në ato super-nëna dhe gra shtëpie të cilat shndritin në shoqëri si me punën ashtu edhe me moralin e karakterin e tyre, të tilla më bëjnë të mendoj se nuk është utopi konkretizimi i mësimeve islame ndaj një femre, ndaj të cilës për shekuj me radhë është ushtruar trysni dhe presion me pa të drejtë si nga brenda ashtu dhe jashtë familjes. Natyrisht që obligimi parësor i femrës mbetet të jetë adhurimi ndaj Krijuesit dhe më pas familja, ndoshta kjo e dyta natyrshëm nuk e lejon ekzaltimin fort mirë të potencialit të saj. Po efektivisht, nëse ky do të ishte etaloni matës për suksesin e një femre, mund të thoja se femra muslimane qëndron në majë të këtij suksesi. Përkushtimi total i saj ndaj familjes, i nxitur dhe nga trysnitë e përmendura më sipër bën që ajo natyrshëm tashmë të shkëputet nga gjithçka shoqërore. Hapësirat në shoqëri janë vërtetë të pakta për ta lejuar këtë qënie jo dhe aq të brishtë të dalë nga guacka e saj të cilën ajo vetë dhe të tjerë kanë kontribuar që t'i ndërtohet. Edhe pse nuk duhet të harrojmë se në disa sfera të caktuara (të cilat është e vështirë të dallohen) gjendet një nevojë aq e madhe për femra të tilla të afta dhe gjithëpërfshirë se, ku në këtë rast është e lehtë të kuptohet se karshi ofertës mungon kërkesa cilësore.

Prej kohësh vërej, se nevoja që ka shoqëria jonë muslimane për elemente të tillë është mjaft e madhe, por gjithashtu vërej se ambienti nuk i siguron filizave të shëndoshë mbrojtjen e nevojshme për t'u rritur dhe për të rritur të tjerë. Dhe ky fenomen, është një faj kolektiv i cili duket se bie mbi kryet e të gjithëve, përfshirë këtu edhe femra të caktuara xhandare të anti-aktivizimit të saj në shoqëri. Nuk është rastësi që mjaft të tilla të jenë dorëzuar, ndrydhur dhe tërhequr pavarësisht thirrjeve për zhvillim drejtuar asaj nëne që nesër do të edukojë fëmijët e këtij ummeti të rinovuar që pas komunizmit. Nëse deri dje, femrat muslimane shqiptare nuk kanë qenë të afta të përparojnë përballë trysnive të ndryshme të shoqërisë muslimane dhe sidomos asaj antagoniste të Islamit, nuk do të thotë se përpjekjet duhen lënë dhe braktisur. Përkundrazi, do të ishte bukur të vëreje një bashkim përpjekjesh dhe ndihmë reciproke, për të vërejtur më së fundmi se nuk jemi aq pak në numër sa hija e shoqërisë përpiqet të na tregojë ndërsa vetë ne endemi në të.



*Marre nga : "Revista Familja" nenor,2009


Nessun commento: